Rusana Hristova-Bejleri. FORMAT E
MIRËSJELLJES DHE PRAGMATIKA NDËGJUHËSORE (shqip-bullgarisht) Seminari i XXIV për gjuhën,
letërsinë dhe kulturën shqiptare. Prishtinë, 2005. Tema e mirësjelljes është e lëvruar në
albanologji. Studime ekzistojnë për epikën popullore dhe kodet
zakonore, ku koncepte si “nderi”, “miku”, “pajtimi” janë në nivelin e
instituteve me rregulla preskriptive, përfshirë edhe sjelljen
gjuhësore. Kjo kumtesë përqendrohet në ligjërimin
bashkëkohor qytetar me qëllim që të theksohen disa
veçori kombëtare që duhet të merren parasysh për
një komunikim të suksesshëm ndërkulturor. Formulat e mirësjelljes qarkullojnë në mënyrë automatike, prania ose mungesa e tyre regjistrohet instinktivisht nga bashkëbiseduesit brenda një shoqërie. Folësi i jashtëm, në rastin tonë shqiptar jashtë ose i huaj në trojet shqiptare, i cili është rritur dhe edukuar me konstrukte të tjera, ato do t’i bëjnë përshtypje të vetëdijshme ose pa u menduar do të bëjë transfer pragmatik, pra përkthim fjalë për fjalë të shprehjeve amtare. Mirësjellja, ndërkaq, nuk është një informacion faktik, prandaj nuk mjafton përkthimi i thënieve nga një gjuhë në tjetër. Nëse gabimet gramatikore në gjuhë të huaj tregojnë thjeshtë nivelin e zotërimit të gjuhës, formulat e mirësjelljes reflektojnë drejtpërdrejt mbi receptimin e folësit si person. Kësaj i shtohet edhe fakti se formulat e mirësjelljes përdoren në momente kyçe me ngarkesë emocionale – momentet e para të njohjes, drejtimi i kërkesës ose lutjes, kërkimi i faljes, mirënjohja, momente për të cilat edhe në gjuhën amtare shprehemi se “nuk dimë ç’të themi”. Punimi kryesor teorik
që citohet në fushën e mirësjelljes është ai i
Penelope Brown dhe Stephen Levinson Politeness: Some universals in language
usage, 1987. Si çdo
teori e rëndësishme, ky punim ka pasardhësit e vetë që
e kanë pasuruar, kritikuar, modifikuar, konkretizuar etj. Në
këtë studim do të përdoret modeli më i thjeshtë i
kësaj teorie, i cili do të shërbejë si shkallë
referente për të shqyrtuar efektet pragmatike ndërgjuhësore
shqip-bullgarisht, në disa raste duke shtuar anglishten dhe
rusishten. Koncepti kryesor i Brown
dhe Levinson është imazhi personal publik që folësi do
të shfaqë në komunikim. Një njeri që dëshiron
të jetë i sjellshëm vlerëson nivelin e “face threatening”
‘kërcënimit për fytyrën’ që mund të
shkaktojë çdo thënie, duke u nisur nga dy pozita kryesore.
Termat e përdorura në gjuhën origjinale janë “positive
face” dhe “negative face”, të cilat të shqipëruar do të
thonë “miqësi, solidaritet” dhe “formalitet, respekt”. Në lidhje
me evitimin e “kërcënimit” funksionojnë katër strategji
universale linguistike, të cilat, ndër të tjera, varen nga fuqia
relative, distanca dhe pozitat shoqërore të folësve, më
tutje nga ambienti – rural ose qytetar, nga lloji i komunikimit - të
shkruar ose bisedimor etj. Këto
strategji janë: A. Shprehje direkte B. Shprehje solidariteti/miqësie C. Shprehje respekti/formaliteti D. Shprehje indirekte Potenciali
për të shprehur secilën prej këtyre strategjive ekziston
tek çdo individ dhe çdo shoqëri, megjithatë kulturat e
ndryshme vënë theks të ndryshëm mbi to në normat e
tyre konvencionale të mirësjelljes. Literatura ekzistuese ka
konstatuar se në disa shoqëri preferohet aspekti miqësor, kurse
në të tjera ai formal. Po të shohim vetëm një element
të fjalës publike dhe letërkëmbimit, drejtimi ndaj
personit, bie në sy se forma e desemantizuar dhe e pranuar për
të gjitha rastet ang. dear nuk
ka një ekuivalente funksionale në shqipe dhe bullgarishte. Të
dyja gjuhët tona bëjnë dallim të qartë pragmatik midis
drejtimit formal dhe atij miqësor: shq. i/e nderuar, bul. uvazhaemi/a
dhe shq. i/e dashur, bul. dragi/a, skëpi/a. Shtylla e
dytë teorike janë punimet e studiuese polake Anna Wierzbicka-s
në fushën e semantikës ndërkulturore. Strategjitë
linguistike në përgjithësi, sipas saj, nxjerrin në pah
tipare të karakterit kombëtar. Kështu formulat gjuhësore
të mirësjelljes reflektojnë qëndrimin etnopiskologjik ndaj
koncepteve kyçe si “unë-tjetri”, “e vërteta”, “vlera e
fjalës”, “kuptimi i fjalës” etj. Zbërthimi i koncepteve mund
të realizohet nga disa këndvështrime: duke u nisur nga frekuenca
e përdorimit të fjalëve, nga fusha semantike e
togfjalëshave të qëndrueshme ose nga ajo e asocimeve të
lira. Kështu fjalët truth dhe pravda ‘e vërteta’ në anglisht dhe rusisht, me
gjithë identitetin e kuptimit, dëshmojnë se fjala ruse ndeshet
12 herë më shumë sesa ekuivalentja e saj angleze. Duke shtuar
peshën semantike të shprehjeve të qëndrueshme të tipit lublju
matushku-pravdu ‘e dua të
vërtetën-nënë’, pravdu
v glazah rezat ‘ta përplasim
të vërtetën në sy’
(Wierzbicka 2001: 13-38) nxirret në pah tendenca e rusishtes
për t’i dhënë vlerë shprehjes direkte, raporteve reale.
Ndërkohë në anglishte rëndësia e madhe e
konceptit privacy ‘jeta personale’,
‘mosndërhyrja personale’ me siguri ka të bëjë me realizimin
gjuhësor të mirësjelljes në një nivel më të
përmbajtur e më formal gjuhësor, pra shkalla e tretë C.
Këta shembuj janë zgjedhur si domethënës,
ndërkohë që për dy gjuhët në fjalë janë
bërë studimet më të pasura në këtë
fushë, shumë prej të cilave gjenden edhe në internet. Duke u nisur nga
“gjuhët e mëdha” është më lehtë të kthehemi
në Ballkan me komentin humoristik të një intelektuali shqiptar: ...Na ka ndodhur
të gjithëve që kanë pasur rastin të marrin pjesë
ndër tubime ndërkombëtare, të jemi të ftuar ndër
darka të majme. Shpesh na i kanë caktuar edhe vendet, por edhe
nëse jo, prapëseprapë, darkat kanë filluar me
përshëndetjet në anglishten standarde dhe po me atë
anglishte mekanike kanë vazhduar me ato që na kanë rastisur t’i
kemi në krah: Let me introduce myself, My name is?, Where are you from?
Oh, very nice to meet you?, How is the whether in your country? e të tjera
formula të shpëlara si këto, që më shumë iu
ngjajnë parullave të mësuara përmendësh që
në fëmijëri, të tipit: “Ruhuni nga vinçi”, “Lani
duart para ngrënies”, “Puna është nder” etj. Dhe pak më vonë vë re
se miku i ri nga e majta mungon. Fill mbrapa dallon se edhe mikesha e krahut
të djathtë ia ka mbathur. Çuditesh sesi personat që
në fillim të darkës ishin very nice to meet you të
kanë braktisur... (Stefan Çapaliku, Gazeta “Shekulli”, 6.3.2005) Ky koment gjen
mbështetje në studimin e gjerë krahasues midis greqishtes dhe
anglishtes, i cili konkludon se anglishtja vlerëson më shumë
jetën private dhe individualitetin, duke i dhënë kështu
përparësi aspektit formal (negative face), ndërsa grekët
theksojnë përfshirjen në grup, spontanitetin, mungesën e
formalitetit, duke vepruar në favor të aspektit miqësor
(positive face) (Sifianou 1992). Hulumtimet sociolinguistike, kulturologjike
dhe antropologjike na orientojnë tek i njëjti grup AB për
shqipen dhe bullgarishten (autorja nuk ka patur mundësi të
përdorë gjatë përgatitjes së artikullit monografinë
e re të Gjovalin Shkurtajit Etnografi
e të folurit të shqipes) . Nëse do ta pranojmë
këtë si pikënisje aksiomatike, atëherë e dobishme do
të ishte që analizën konkrete shqip-bullgarisht ta
bëjmë me tendencë diferencuese, por gjithnjë në kërkim
të vlerës jashtëgjuhësore të mjetit linguistik konkret I.
Disa elemente
kryesore të rrjedhës së bisedës Fillimi i çdo bisede zakonisht ka karakter
ritual me përshëndetjen e desemantizuar shq. si je/jeni? bul. kak si/ste?, përgjigjen shq. mirë, falemnderit, po ti/ju? bul. blagodarja, dobre, a ti/vie? dhe
kundërpërgjigjet shq. mirë;
çka bul. dobre; gore-dolu. Në këtë
etapë të dy gjuhët kanë përftuar formalitet të
njëjtë. Formula rituale në Kosovë A je lodhur?- Jo fort
teorikisht ka ekuivalente të saktë në bullgarishte, prapë
brenda formulave të mirësjelljes, por që ka ruajtur
semantikën dhe përdoret në situata që supozojnë lodhje
dhe, rrjedhimisht, parashikon përgjigje individuale me një ose
tjetër shkallë vërtetësie. Me vlerë praktike
është të dihet fakti se formulat bisedimore të shqipes
ruajnë më gjatë karakterin ritual në vargun
përshëndetës të tipit Si
je? Si ia çon? Si ia kalon? Si i ke fëmijët? Në
shtëpi mirë?, që përdoret edhe në telefon.
Çdo pyetje ndryshe nga dy të parat në bisedën bullgare do
të ishte tregues semantik se pritet përgjigje pak a shumë reale
në varësi të marrëdhënieve midis dy palëve.
Qëllimi nuk është gjithmonë të vazhdojë biseda,
por të dëshmohet në mënyrë implicite qëndrimi
pozitiv, sinqeriteti ose interesimi për tjetrin, pra të kalohet nga
shkalla C te B të mirësjelljes. Mbas pyetjes se dytë reagimi i
një bullgari do të ishte individual sipas predispozimit. Është me interes të
shënojmë se rituali i zgjatur linguistik, edhe pse në rënie
në shoqërinë e sotme të përshpejtuar, i shërben
funksionit të përshtatjes fillestare ndërpersonale, të
rekomanduar gjerësisht në manualet moderne të psikologjisë
praktike, mbasi lejon përpunimin e më shumë të dhënave
nga kanalet paragjuhësore. Duke ndjekur rrjedhën
e një bisede, do të vëmë re se emri me të cilin i
drejtohemi tjetrit, shfaq një dallim me shume peshë në
komunikim. Ndërkohë që për të dyja gjuhët
janë të pranuara si shkallë e lartë e respektit
konstruktet z/znj + mbiemër, shqipja, për shkak të ngulitjes
së vonë të mbiemrave të familjes (llagapeve), titujt e
thirrjes zoti, zonja, profesor i përdor edhe me emër. Në
shqipe me emër i referohemi madje figurave të njohura historike dhe
bashkëkohore, si në bisedim ashtu edhe në shkrimet shkencore
Naimi, Lasgushi. (Lloshi 2001: 310) Normat e dëftimit shoqëror të
gjuhës bullgare e përjashtojnë këtë formulë nga
të gjitha regjistrat stilistike të mirësjelljes, duke i
lënë vend vetëm si teknikë humoristike, satirike dhe
tallëse. Transferimi pragmatik shqip-bullgarisht në këtë
situatë tepër të zakonshme, siç tregon praktika, mund
të rezultojë jo thjeshtë në keqkuptim, por në
keqinterpretim. Pas emrit vendoset
përemri i përshtatshëm për kushtet e bisedës. Shqipja
dhe bullgarishtja kanë norma të njëjta në këtë
drejtim – përemri ti në
rastet joformale dhe përemri ju
në rastet formale me shumës të foljes dhe njëjës
të elementëve të tjerë përcaktorë shq. ju do të flisni i pari , bul. vie shte govorite prëv. Zbatimi pragmatik i normës
ndërkaq varijon në mënyrë sasiore: shqiptarët nuk e
ruajnë për shumë kohë drejtimin me ju për mirësjellje, madje brenda po asaj bisede (Lloshi
2001: 290). Kjo kushtëzohet edhe nga potenciali sintagmatik tituj të thirrjes+ti p.sh. zoti
Agim a do të marrësh këtë libër?. Në
gjuhën bullgare përdorimi i titullit të thirrjes kërkon
detyrimisht formën ju, pavarësisht nga
marrëdhëniet konkrete midis folësve zoti Petrov, a do të merrni këtë libër?.
Shmangja nga ky rregull dhe ndërrimi ju
me ti pa lajmërim ose lejë,
në varësi të pozitave relative shoqërore të
bashkëbiseduesve, konsiderohen probleme jo të pragmatikës, por
të edukatës. Një situatë e tillë me folës
bullgarë do të tingëllojë pak artificiale për veshin
shqiptar (sikurse edhe thirrja e pranuar akademike të pedagogut ndaj
studentit emër+ju, p.sh. Maria, si mendoni ju?). Madje mund
të mbetet vend për mendime pse tjetri rri i rezervuar me ju. Kjo veçori mund të vihet
re kur biseda zhvillohet në një prej të dy gjuhëve, por
edhe me anë të krahasimit të komunikimit të dy folësve
që nuk njohin gjuhën tjetër, përmes anglishtes (ku ka
vetëm një formë you)
dhe përmes përkthimit bullgarisht-shqip. Në të dyja
gjuhët tona zë rol të veçantë formula universale Hajde të pimë një kafe, e
cila në trojet shqiptare mbështetet më fort veç aspektit
komunikues edhe në aspektin material të kënaqësisë
së pritur - shija e kafes, mbase edhe lokalet më të thjeshta
ofrojnë kafe të cilësisë më të lartë.
Rituali i pirjes së kafes si megaformulë komunikimi i reziston
fuqishëm intensifikimit global të jetës. Kjo ka të
bëjë edhe me një aspekt tjetër të pragmatikës –
qëllimit të bisedës, arritja e të cilit lehtësohet nga
parantezat psikologjike. Thënia popullore Kafja është e zezë, por të zbardh faqen na
çon tutje te koncepti i mikpritjes dhe çel një temë
më vete. Kurse Instituti i Ballkanistikës në Sofje sapo ka nisur
projektin “Roli i kafenesë në Ballkan”, brenda të cilit do të
studiohen edhe elementet përkatëse sociolinguistike. II. Akte të
veçanta pragmatike Formulat e
mirësjelljes kanë një vend të veçantë në
situatat delikate si ngushëllimi i të afërmve në rast
vdekjeje. Bullgarishtja është lakonike Me vjen keq, Ngushëllimet e mia. Kjo ka logjikë, sepse
çfarëdo që t’i thuash njeriut në një moment të
tillë pikëllimi nuk zë vend. Dhe këtu mund të habitesh
nga formulat shqiptare Të rroni
vetë, T’ju rrojnë fëmijët, T’i rroni nënës dhe
babait (e para prej tyre ndeshet edhe ne fshatrat bullgare). Në
fjalorin shqip-anglisht të Oksfordit autori me të drejtë ka
shtuar një shpjegim për domethënien e frazave: “e di se je i
fort dhe do ta përballosh situatën”. Ideja e ngulitur në këto
fraza duket e thellë dhe karakteristike për botën shpirtërore
shqiptare, fjala është për optimizmin, për shikimin
përpara edhe në situatat më të rënda. Këto
formula, pasqyrojnë filozofinë pragmatike të jetës, të
zhveshur nga formaliteti dhe hipokrizia, por pa qenë aspak
mospërfillëse ndaj vetë të vdekurit siç
dëshmojnë ritet tepër të pasura të ceremonive të
përmortshme dhe që kanë mbetur më të gjata sesa
në kulturat e tjera ballkanike deri në ditët tona. Një vëmendje të veçantë
në literaturë u është kushtuar situatave më delikate
të komunikimit ndërpersonal – drejtimi me lutje ose
kërkesë. Ky akt pragmatik, sipas shprehjes teorike, përmban
një “kërcënim të lartë për fytyrën” e
personit, i cili është në pritje, madje varësi të
reagimit pohues ose mohues të palës tjetër. Prandaj formulat
që do të përdoren, në rastet kur të dy palët
janë në pozitë të barabartë, do të jenë
të kategorisë C dhe D – me më shumë respekt ose
tërthorazi. Kam zgjedhur si shembull sesi një formulë mekanike e
desemantizuar nuk mbetet pa pasoja
në marrëdhëniet
zyrtare me institucionet. Shkresa si dokument më i përgjithshëm
në bullgarishte mban emrin mollba ‘lutje’.
Në shqipe si term administrativ do të përkthehet në
shumicën e rasteve si ‘kërkesë’ (ang. form ose application).
Edhe pse të formalizuara dhe të desemantizuara, këto fjalë
japin etiketim të pavetëdijshëm se cila palë në
modelin etnopsikologjik është më e fortë. Meqenëse
strategjitë linguistike tolerojnë “të drejtën e të
fortit” të shprehet direkt, shmangja e kësaj për shqiptarët
shpesh interpretohet si dobësi e mungesë karakteri që mund
të rezultojnë deri në mosrealizimin e qëllimit. Ndërsa në gjuhën bullgare
shprehjet tentojnë të jenë koherente ose të
nënvizojë pa nevojë aspektin prelokucionar (ajo që
është në këtë thënie) të “lutjes” më falni për shqetësimin, po
a do të ishte e mundur, a do
të mund të..., besoj se..., më duket se...
nganjëherë me shpresën e vetëdijshme për zbutje
të palës tjetër. Por
rifitimi i plotë semantik shfaqet kur i interesuari merr përgjigje
të pakënaqshme për të ose kur vetë procedura
administrative është e zgjatur ose e ndërlikuar. Nën
trysninë emocionale negative bullgari revolton haptazi kundër
semantikës së termit lutje,
refuzon me shprehje direkte të konsiderohet inferior ndaj
nëpunësit administrativ, të cilit “duhet t’i lutet” dhe ndaj
zyrtarit, i cili “a mos është Zoti që t’i lutem”. Përgjigjet pohuese në të gjitha
gjuhët, stilet dhe situatat zakonisht janë më të thjeshta
dhe më të drejtpërdrejta: Po,
Posi, Pa tjetër, Pa dyshim, S’ka problem, Mos ki merak. Dakord! U ba!
(në Kosovë). Përgjigja mohuese jashtë komunikimit
zyrtar kërkojnë në të gjitha gjuhët shtesa leksikore
zbutëse shq. më vjen keq, e di
si është puna bul. mnogo
sëzhaliavam, vizh... ‘shiko tani’ ang. I’m sorry, actually etj. Në rusishte ndërkaq më
shpesh “mund të ndeshesh edhe eksklamime negative në reagim të
një kërkese” (Abramova 2000). Refuzimi, qoftë i zbutur dhe i
sinqertë, është më i papëlqyer në normat e
mirësjelljes të gjuhës shqipe. Shkaku i kësaj janë
konceptet kombëtare për etikën, moralin dhe obligimet
shoqërore që në përgjithësi janë të tipit B,
pra miqësore dhe solidare dhe si të tilla ia atribuojnë aktin e
refuzimit mungesës së dashamirësisë. Kjo dëshmohet
në situatat me një ose tjetër shkallë pasigurie personale
të rezultatit ose veprimit, në të cilat konsiderohet më e
pranueshme të thuash “po”, të biesh dakord, të premtosh sesa
të artikulosh dyshim ose pamundësi. Populli e ka ngurtësuar
këtë në shprehje hiperbolike Kokën
ta presë por qejfin s’ta prish. Normat shoqërore bullgare
lejojnë shprehje më te madhe të sinqeritetit në rastet e
pasigurisë. Domethënëse është përgjigja
shumë e përhapur me humor dhe vetëironi për pyetjen Ç’u bë? A u bë puna? - Po,
po, personi tha “do të shohim”. Me gjithë nuancat midis shqipes dhe bullgarishtes,
mospërputhja e të dyve me konceptet perëndimore është
më e thellë dhe konstatimi stereotip “kur të thonë po është po dhe s’ka pse të përsëritësh, kur të
thonë jo është jo dhe s’ka pse të ofendohesh”
bëhet me psherëtimë aprovuese dhe keqardhje se në Ballkan
s’jemi të tillë. III. Koncepti për fjalën dhe mirësjellja 1. Lakonizmi Ndërkohë që
fuqia e fjalës pranohet në të gjitha kulturat dhe reflektohet
në mënyrë të pasur në fjalët e urta dhe
frazeologjinë p.sh. Fjala e
mirë çel derën e hekurt, Goja bën hata, goja bën
kala, Gjuha kocka s’ka por kocka thyen, Gjuha të afron, gjuha të
largon, Atë që thurr gjuha s’e thurrin dot duart, lakonizmi dhe
thukëtia e shprehjes historikisht kanë fituar një vlerë
të veçantë në botëkuptimin shqiptar (Zhugra 2003). Gjella me kripë e kripa me karar
është një këshillë universale për çdo
muhabet që “hahet”. Të dhënat
e Fjalorit bullgar të asocimeve, ku lidhjet më aktive të
foljes flas rezultojnë me numra të larta absolute budallallëqe, shumë, mendoj,
shpejt, mund të interpretohen edhe si element vetëvlerësues,
aq më tepër se fjalët e urta bullgare këshillojnë
më shpesh të numërojmë para se të flasim, por jo kaq
shumë, në krahasim me ato shqiptare, t’i numërojmë
fjalët. Rezultati asociativ për ekuivalenten e fjalës fjalë të stilit më
të lartë sllovo çon
pikësëpari te shprehja dar
sllovo (rusisht dar reçi)
‘dhurata e fjalës’ si dhunti që njeriut nuk i takon, por i
është dhënë nga perëndia. Kjo shprehje shënon
zakonisht aftësinë për të folur shumë, por
rrjedhshëm e me logjikë, veçanërisht para publikut.
Në raste të veçanta emocionale çdo njeri “humbet”
këtë dhuratë (në formën e saj më të
zakonshme) dhe mbetet “pa gojë”. 2. Kodet metaforike Shumë interesant në sistemin e vlerave
etnopsikologjike është qëndrimi ndaj alegorizmit dhe kodeve
metaforike, që shkojnë përtej kategorisë indirekte në
shkallën referente të mirësjelljes. E folura me rrotulla, e
zakonshme si metagjuhë në Kosovë dhe në Veri të
Shqipërisë, por e pëlqyer edhe në Jug të Shqipërisë,
praktikisht me statusin e një standardi ligjërimor, nuk ka të
njëjtën vlerë në pragmatikën bullgare. Shprehjet e
tipit Foli pragut të
dëgjojë dera bul. Tebe dumam dështe, seshtaj se snaho ‘Ty të flas o bije, kujtohu nuse’ ose Udraj samara da se seshta magareto ‘Godite
samarin që të kujtohet gomari’ regjistrojnë vetëm një
aspekt të kësaj dukurie – mirësjelljen me peshë didaktike,
që në parim nënkupton marrëdhënie jo të barabarta
midis folësve. Në dallim të folësve shqiptarë,
folësit bullgarë nuk janë mësuar të përdorin dhe
rrjedhimisht të kërkojnë dhe shijojnë
shumëkuptimshmërinë e thënieve si praktikë
shoqërore bisedimore. Për bullgarët kjo tendencë ndihet
rrëshqitëse për mirëkuptimin dhe mirësjelljen, sepse
mbart idenë e largimit nga autorësia dhe përgjegjësia,
të “konspiracionit”, të komplimentit me hile. Aluzionet dhe alegoritë
funksionojnë si mjete të veçanta të theksimit dhe
sqarimit të kuptimit, që zakonisht paralajmërohen si ilustrime.
Si rezultat në pragmatikën ndërkulturore shqiptari do të
shfaqet më i prirur të mbiinterpretojë, ndërsa bullgari
të mos “ftillojë”. Manualet e psikologjisë praktikë e
konsiderojnë mendimin asociativ lateral, që është në
thelb të komunikimit metaforik, aftësi të çmuar dhe
të rrallë dhe ofrojnë metoda praktike për zhvillimin e
të menduarit në këtë drejtim, duke e quajtur kanal të
intuitës. Kjo dukuri sociolinguistike shqiptare përfton fuqi të
madhe pikërisht në fushën e mirësjelljes ku komplimentet
dhe vlerësimet e tërthorta konsiderohen me status më të
lartë. Në ketë kuptim retorika popullore gege ofron një
urë unikale midis historisë dhe modernitetit gjuhësor dhe do
të ishte shumë e dobishme të studiohet në dritën e
teorive bashkëkohore të psikolinguistikës. 3. Roli i mënyrës dëshirore Një mjet gramatikor me peshë të
madhe semantike në formulat shqiptare të mirësjelljes
është forma e dëshirores. Kështu në bullgarishte
struktura sinonimike me lidhore kufizohet me urimet për raste konkrete si
p.sh. ditëlindja shq. Rrofsh e
qofsh! bul. Äà
ñè æèâ è çäðàâ! shq. Rrofsh sa malet bul. Äà ñòàíåø íà ñòî ãîäèíè! Forma e
brendshme shfaqet si element i fuqishëm mahnitës në rastet ku
urimi me anë të dëshirores ka hyrë në aktet më
të zakonshme të mirësjelljes p.sh. Ta paça borxh! Ta paça hua! Rrofsh! Në këtë sfond dëftorja
e bullgarishtes duket pak e varfër:
bul. Zadëlzhen sëm ti; Bravo! ose Blagodaria!, ndërsa
përdorimi i ekuivalentes së plotë Da si zhiv i zdrav! është
e rezervuar vetëm për rastet kur folësit i është
bërë një nder shumë të madh ose i
rëndësishëm për të. Po kjo vihet re edhe te shprehjet
shqiptare me formën historikisht të vjetër lumtë/lumshin (Çabej 1976: 325) Të lumshin duart! Të lumtë goja! që kanë
edhe forma emfatike Të lumshin ato
duar! Të lumtë ajo gojë! Forma e brendshme të formulave
bullgare: Mnogo e vkusno ‘shumë
e shijshme’, Mnogo e hubavo
‘shumë e mirë’ deri tek Zllatni
ti rëce ‘ke duar të arta’ dhe Zllatna
ti usta ‘ke gojë të artë’ në raste të
veçanta vë theksin semantik mbi rezultatin real të punës,
në të cilin siç dimë dyshon çdo zonjë
shtëpie. Në shqipe, kur gjestet dhe intonacioni tregojnë se
është vetëm kompliment i rastit, formulat prapë
çojnë te ideja e vlerës së përpjekjeve dhe mundit
personal. Kurse kur i përgjigjen realitetit, formulat dëftojnë
diçka të papërsëritshme, që s’ka shoqe në botë,
pra te ajo që secili mendon për vetvete. Mbase është
për të na ardhur keq se po humbet përgjigja Lumë qofshë kur je i kenaqur nga rezultati dhe të
thonë rrobaqepësja ose berberi Me
shëndet! (Emil Lafe).Shprehja Të lumshin këmbët! nuk ka analoge funksionale në
bullgarishte dhe në gjuhët e mëdha, fakt ky që na jep
material gjuhësor për konkludime etnopsikologjike. Përfundim Fakti se veç Journal of
pragmatics, ku zakonisht botohen studimet e kësaj fushe, në
muajin maj 2005 pa dritë një botim i posaçëm Journal of politeness research, tregon
se mirësjellja dhe realizimi i saj gjuhësor do të kenë
gjithnjë e më shumë rëndësi në komunikimin
global. Kultura bullgare dhe ajo shqiptare, edhe pse teorikisht të të
njëjtit tip - miqësor dhe solidar, shfaqin forma të ndryshme gjuhësore
dhe sociolingustike, që vlen të përvetëson
vetëdijshëm nga të interesuarit, kurse nga të gjithë
të tjerët të pranohen me mendje të hapur. Literatura: Brown, P. and Levinson S. (1987) Politeness:
Some universals in language usage, Cambridge, UK: Cambridge University
Press. (Botimi i parë: Brown, P. and Levinson S. (1978) ‘Universals in
language usage: Politeness phenomena’ in Goody E. (ed.), Questions and
Politeness, Cambridge, U.K: Cambridge University Press, pp. 56-289) Çabej E. (1976) Studime
gjuhësore në fushë të shqipes. v. I. Prishtinë. Lloshi, Xh. (2001) Stilistika e
gjuhës shqipe dhe pragmatika. Tiranë. Sifianou, M. (1992) Politeness
phenomena in England and Greece, A Cross-cultural perspective, Oxford. Abramova T. (2000) Nacionalnaja
specifika kulturi reçevogo obshtenija v kosvenih reçevih aktah. www.tpl1999.narod.ru Âåæáèöêàÿ À. (2001) Ïîíèìàíèå êóëüòóð ÷åðåç ïîñðåäñòâî êëþ÷åâûõ
ñëîâ. Ìîñêâà. Zhugra, A. (2003) Rreth normave të sjelljes gjuhësore
dhe kritereve të gojëtarisë (Sipas lëndës së folklorit
të viseve veriore shqiptare). Në: Gjuha
standarde shqipe dhe shoqëria shqiptare sot. Tiranë. Fjalorë Bulgarski asociativen
reçnik (2003)
Sofia. Çadri R. (1999) Fjalor
bisedimor shqip-bullgarisht. Tiranë. FGjSSH (1980) Tiranë. Fjalori Frazeologjik
Ballkanik (1999)
Tiranë. Frazeologiçen
reçnik na bëllgarskia ezik (1974) Sofia. Newmark L. (2000) Oxford
Albanian-English Dictionary. Tiranë |